Ballina > Shëndetsia > Eko me mjekë të huaj nga materniteti shqiptar

Eko me mjekë të huaj nga materniteti shqiptar

February 18th, 2010 Komento Shko te komentet

Në maternitetin “Koço Gliozheni” është instaluar Telemedicina me eko 4d, e cila bën të mundur komunikimin on-line për konsultë të përbashkët me mjekë të huaj

Teknologji

Prindërit mund të shohin beben e tyre më shumë detaje dhe mund të krijojnë një imazh se si do jetë ai sapo të lindë. Madje, imazhet e bebes janë të një cilësie shumë të mirë sa prindërit preferojnë t’u bëjnë edhe foto dhe t’i kenë në një album, ndonëse fëmija nuk ka lindur ende.

Kjo është ekoja 4d (4 dimensionale), e cila, duke u lidhur me anë të Telemedicinës (mjekësia në televizor) e bën atë unikale në vendin tonë, pasi konsulta e bebes në barkun nënës mund të bëhet njëkohësisht mes mjekëve të ndryshëm në gjithë botën edhe pse ata ndodhen në klinikat e tyre.

Kjo teknologji moderne është instaluar prej një viti në maternitetin “Koço Gliozheni” dhe për të tregon në intervistën për “Shekulli”-n mjekja gjinekologe e specializuar për ekografiste, Enkelejda Prifti, e cila thekson se kjo teknologji është ndër më të rejat në botë.

Në maternitetin “Koço Gliozheni” është instaluar një aparaturë moderne, e cila jep imazhe shumë cilësore të bebes që ende nuk ka lindur. Ku konsiston e veçanta e këtij ekzaminimi për bebet?

Duke marrë imazhe të mëparshme ekografike ekoja 4d krijon një imazh të bebit që të duket sikur e ke si në fotografi dhe është shumë e drejtpërdrejt, sidomos në komunikim me prindërit.

Në pjesën më të madhe të vendeve perëndimore ajo ende përdoret si pamje shtesë për të shtuar edhe kënaqësinë prindërore kur shikojnë një ekografi që është pak më e vështirë se kur shikojnë pamjet standarde mjekësore. Përveç kësaj, kjo ka disa vite që po studiohet se çfarë funksioni do të na shtojë në diagnozat e mëparshme ekografie.

Pra, çfarë të reje shton kjo në një diagnozë që ne e vendosim, por që ne shtojmë edhe 4d dhe marrim një imazh më të plotë volumetric dhe që na vërteton diagnozën që ne kemi dyshuar me ekografin standarde që bëhen. Kjo nuk është thjesht një ekografi 4d që bëhet, por që krahasuar me imazhet diagnostike ose 2d është me cilësi shumë më të lartë.

Përveç kësaj, ka ekzaminime të tjera si sistem, grafikë, imazhe dhe përpunim të dhënash, është shumë më e sofistikuar dhe këtë e vërteton lidhja e kësaj aparature me Telemedicinën.

Më konkretisht, çfarë është telemedicina dhe çfarë mundëson ajo për mjekësinë?

Telemedicia apo, siç thuhet ndryshe, mjekësia në televizor është një lidhje on-line mes aparaturës 4d që folëm më lart dhe që jep imazhe shumë cilësore me mjekët e vendeve të huaja në këtë rast me mjekët e spitalit Massa që ndodhet në Itali.

Pra, telemedicina është kur ne bëjmë një diagnozë këtu dhe kemi dyshime për diagnozën apo mënyrën se si duhet të trajtojmë beben, siç ndodh rëndom në shumë klinika të specializuar edhe jashtë.

Ne me anë të Telemedicinës mund të lidhemi on-line me spitalin Massa dhe diskutojmë në mënyrë virtuale me doktorët që janë në Itali, dhe të vendosim bashkë për mënyrën e diagnozës dhe mënyrën e menaxhimit të bebit. Siç kishim një rast sot që ishte një fëmijë që ishte diagnostikuar më parë me një aritmi të zemrës dhe ne u lidhëm me mjekët italianë on-line dhe vendosëm së bashku për mënyrën e menaxhimit.

Mjeku italian, duke parë në pamjet ekografike direkt të bebes, on-line thotë mendimet e tij në lidhje me menaxhimin e diagnozës, sidomos për patologjinë e zemrës së bebeve.

Po prindërit marrin kënaqësi nga pamjet që iu ofron ekoja 4d?

Për prindërit aparatura sjell një imazh më të drejtpërdrejtë një imazh më të bukur dhe pothuajse pjesa e madhe e çifteve të reja kërkojnë që përveç fotove standarde që mund t’i marrin se në printer, apo CD, dëshirojnë edhe pamje 3d të bebit që jepet imazhi virtual i një fëmije që shikohet ekografikisht

Deri në çfarë imtësie shikohet fëmija me këtë aparaturë?

Varet nga disa kushte teknike ku zhvillohet ekografia, pasi duhen disa kushte specifike që të bëhet një imazh shumë perfekt, por në përgjithësi ne tentojmë gjithmonë te fytyra se ajo është më e drejtpërdrejtë në komunikimin me fëmijën ose pamje shumë të këndshme të dorës apo të këmbës. Nëna në këtë mënyrë imagjinon se si do jetë fëmija në momentin e lindjes.

Prindërit e kërkojnë më shumë për efektet të fotografisë për të pasur imazhin e bebes së tyre dhe për efektet emocionale, kurse ne na intereson më tepër që këtë ta përdorim nga ana shkencore për t’i shtuar vlera anës diagnostike që bën gjithë bota.

Çfarë statusi kanë në përgjithësi çiftet që e kërkojnë këtë eko?

Janë në përgjithësi çiftet e reja, sidomos ata që kanë një lloj informacioni dhe që shikojnë në internet dhe vijnë e kërkojnë duke thënë se duan eko si fotografi.

Kjo teknologji renditet e kohëve të fundit?

Po është ndër teknologjitë më të reja botërore që i përket kësaj fushe. Në gjithë botën, kjo është akoma në stade studimi.

Është e kushtueshme?

Kjo eko iu ofrohet të gjithë prindërve me kërkesën e tyre dhe të gjitha nënat që zbatojnë sistemin e referimit e realizojnë falas. Për ata që nuk zbatojnë këtë sistem, nuk është më e shtrenjtë se ekot e tjera të zakonshme.

Nga Shekulli Online

Kategorite: Shëndetsia