Ballina > Aktualitet, Kronikë > Eshtrat në Dajt, Berisha sulmon Kushtetuesen për “Lustracionin”

Eshtrat në Dajt, Berisha sulmon Kushtetuesen për “Lustracionin”

February 8th, 2010 Komento Shko te komentet

TIRANE- Kryeministri Berisha ka shfrytëzuar ngjarjen e gjetjes së 19 eshtrave në veri të kryeqytetit shqiptar për të sulmuar edhe njëherë Gjykatën Kushtetuese në lidhje me rrëzimin e ligjit të lustracionit.
Kreu i qeverisë tha në mbledhjen e grupit se shoqëria nuk mund të flerë mbi eshtrat e krimeve të komunizmit dhe atyre që i dhanë këto vendime. Berisha la të hapur mundësinë që eshtrat e gjetura një ditë më parë ti përkasin gushtit të vitit 90, kur u përfol se u ekzekutuan pa gjyq në Malin me Gropa qytetarë që tentonin të kalonin rrethimin e ambasadave.
“Nuk dihet koha, janë të grupit të deputetëve, janë të ekzekutuar pa gjyq, janë të vitit 90 dhe ngjarjeve të ambasadave , këtë do ta thonë analizat. Në takimin me intelejtualë që diktatori Ramiz Alia zhvilloi e pyesin, shoku Ramiz në Tiranë flitet për 50 të pushkatuar në Malin me Gropa , dhe përgjigjia ishte se mali ka gropa por nuk ka kufoma.” u shpreh kreu i qeverisë.

Berisha lajmëroi se ligji për ngritjen e Institutit të Kujtesës Kombëtare pret miratimin e kuvendit. Instituti në fjalë do ketë të drejtë të dërgojë në Prokurori materiale që faktojnë krime të rënda.

“Ky është një institut i ngjashëm me institutin cek i cili synon të zbardhë të gjithë të vërtetën e barbarive të regjimit komunist. Instituti ka gjithashtu të drejtën e dërgimit në prokurori të materialeve të cilat faktojnë krime të rënda. Ligji i lustracionit, në konflikt të plotë interesi u hodh poshtë. Por pavarësisht nga ky gjykim, demokracia nuk mund të flerë mbi varre” tha Berisha.
Ngritja e këtij instituti ka qenë një projekt i lancuar nga kryeministri Berisha që në fakt e kishte parë këtë ligj të shoqëruar me atë të lustracionit. Mësohet se një grup ekspertësh nga Partia Demokratike po punojnë për të përgatitur terrenin për zhvillimin e një referendumi për të mbështetur miratimin e tij.

Kategorite: Aktualitet, Kronikë