Ballina > Editorial > Urdhër arresti për dy kosovarë të dyshuar

Urdhër arresti për dy kosovarë të dyshuar

February 3rd, 2010 Komento Shko te komentet

Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, identifikoi dy kosovarë të dyshuar se organizuan trafikimin e 10 pistoletave të tipit “Echol-Special 99″ nga Kosova në Mal të zi dhe më pas në Shqipëri nëpërmjet “korrierit” ulqinak Nazim Ljikoviç. Identitetet e tyre nga janë bërë të ditur nga prokuroria për shkak se hetimi është në proces.

Ky i fundit u arrestua nga Zyra e Antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit me 21 janar të këtij viti në qytetin e Shkodrës kur u kap me 10 pistoleta, të cilat, i kishte të fshehura në automjetin me të cilin udhëtonte nga Mali i Zi në Drejtim të Shqipërisë.

Për këtë shkak, dy organizatorët e trafikut janë shpallur në kërkim dhe për ta ka një urdhër arresti. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët nënvizuan se janë zbuluar emrat e dy kosovarëve që “ngarkuan” të arrestuarin Ljikoviç për transportimin e 10 pistoletave.

Madje sipas burimeve të hetimit, dy kosovarët dyshohet se kanë qëndruar në qytetin e Shkodrës në një hotel, por nga të dhënat rezulton se ata nuk kanë hyrë në territorin shqiptar nisur nga verifikimi në TIMS, pavarësisht se faktet e prokurorisë tregojnë të kundërtën.

Kjo ka shtyrë hetuesit të mendojnë se të dyshuarit kanë hyrë në Shqipëri ilegalisht nga kufiri i gjelbërt e madje kanë fjetur në një hotel në Shkodër, ku hetuesit kanë marrë të dhëna.

Gjithashtu këto burime konfirmuan se dy kosovarët dyshohet se kanë kryer edhe veprën penale të “kalimit të paligjshëm të kufirit”, pasi në sistemin TIMS të pikave të kalimit kufitar emrat e tyre nuk figurojnë.

“Nga kontrolli i sistemit TIMS të hyrje daljeve të shtetasve nga pikat e kalimit kufitar, ka rezultuar se dy kosovarët nga qyteti i Mitrovicës nuk janë të regjistruar. Çka kemi ngritur dyshimet se ata mund të kenë kaluar kufirin ilegalisht me dokumente false.

Për këtë dyshime, i jemi drejtuar organeve kompetente të Policisë së Kosovës duke i kërkuar informacione për këta dy shtetas”-thuhet nga burimet e prokurorisë.

Sipas hetimeve, mësohet se dy kosovarët, tre ditë para se të arrestohet Ulqinaku Ljikoviç kanë ardhur në Shqipëri, konkretisht në Shkodër, ku kanë takuar me ndihmën e një miku të tyre shtetasin malazez Nazim Ljikoviç.

Gjatë bisedave të tyre, dy kosovarët i kanë premtuar ulqinakut rregullimin e makinës pasi kishte defekte të ndryshme dhe si përfitim, ulqinaku do ia transportonte kosovarëve dy pistoleta nga Kosova në Mal të zi dhe më pas në Shqipëri.

Për këtë kanë rënë dakord, ku dy kosovarët i kanë marrë makinën duke i bërë disa shërbime servisi si dhe ia kanë paketuar 10 pistoletat në derën e pasme të makinës, pas shoferit.

Pas paketimit të pistoletave ia kanë dhënë ulqinakut Ljikoviç duke i dhënë në formë shpërblimi edhe 200 euro si dhe 2100 euro fals. Këto të fundit do i dorëzonte pritësit në Shkodër bashkë me pistoletat. Me të hyrë në qytetin e Shkodrës policia organizoi arrestimin e tij, duke ia sekuestruar në makinën e tipit “Golf” me targa “BR AJ 011″ 10 pistoletat si dhe paratë false.

Shekulli Online

Kategorite: Editorial