GJIROKASTËR- Krijohen grupet e përbashkëta për monitorimin e territorit të qarkut në lidhje me zonat ku mund të kultivohet bimë narkotike. Sipas zëvendësdrejtorit të policisë së Gjirokastrës, Adriatik Tafçiu, policia është e vendosur në luftën pa kompromis kundër narkotikëve.
“Policia do të ndërhyjë në çdo cep të qarkut përfshi këtu edhe Lazaratin, ku edhe në këtë komunë po bëhet një punë e mirë për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike dhe do vijojmë deri në eleminimin e plotë të fenomenit kanabis edhe në këtë zonë”- ka thënë ai, gjatë një takimi sensibilizues në Kurvelesh të Tepelenës.
Ai ka theksuar se policia do të përdorë të gjitha metodat bashkëkohore për të evidentuar parcelat që mund të kultivohen nga banorë të ndryshëm në çdo fshat a komunë.
“Do të përdoren filmimet që do të realizohen nga sateliti, që tashmë Policia e Shtetit e ka marrë me qira për të çuar para drejtësisë, të gjithë ata që do të kultivojnë bimë narkotike
Do të monitorohet i gjithë territori i thyer dhe malor nga helikopterët e policisë, si dhe do të shkelet çdo cep i qarkut nga grupet e përbashkëta polici -pushtet vendor dhe banorë të çdo fshati, të cilat tashmë janë ngritur dhe funksionojnë në çdo komunë.”- tha ai.
_____________________
Braun: Konfiskimet janë rritur, por trafiku i drogës mbetet ende shqetësues
INTERVISTA/ Majkëll Braun, ish shef i operacioneve në Agjencinë Amerikane kundër Trafikut të Drogës dhe ekspert i anti-trafikimit flet per situaten ne Shqiperi dhe Ballkan. Raporti i Departamentit të Shtetit mbi Trafikun Ndërkombëtar të Drogës thotë se Shqipëria dhe Kosova shërbejnë si vende tranzite të trafikut të drogës që vjen nga Afganistani për në Evropën Perëndimore. Majkëll Braun thotë se megjithëse vendet e Ballkanit kanë rritur numrin e konfsikimeve, grupet e krimit të organizuar përsëri arrijnë të gjejnë rrugë të tjera. Zoti Braun thotë se kjo ndodh jo vetëm nga shkathtësia dhe fuqia e këtyre grupeve, por edhe për shkak të mjeteve të kufizuara në dispozicion të forcave të rendit, ushtrisë dhe shërbimeve të zbulimit që e luftojnë këtë trafik në vendet e Ballkanit.
Zoti Braun, Shqipëria dhe Kosova shihen si vende tranzite të heroinës afgane të destinuar për vendet e Evropës Perëndimore. Që nga fillimi i këtij problemi, cila ka qenë prirja, a është shtuar apo ka rënë sasia e drogës që kalon në këto vende gjatë viteve?
Është e vështirë të thuhet sepse ka disa vende përmes të cilave kalon droga në Ballkan, dhe kjo rrugë ndryshon vazhdimisht. Arsyeja e ndryshimit është se ndërsa polica, ushtria dhe shërbimet e zbulimit bëhen më efikase, dhe fillojnë të kapin drogën në një zonë, grupet e fuqishme të krimit të organizuar kanë aftësinë të ndryshojnë rrugë shumë shpejt. Për mendimin tim, nuk ka model organizativ më elastik sesa grupet e fuqishme të krimit të organizuar. Pra, sapo siguria rritet në një zonë, ato kalojnë shpejt në një zonë tjetër. Ato janë gjithnjë në kërkim të atyre, që unë i quaj “pika të dobëta” përmes të cilave mund të kalojnë sasi më të mëdha të produkteve të tyre dhe t’i nxjerrin në treg. Sa herë që kapen sasi lëndësh narkotike, atyre u preken të ardhurat, dhe si çdo biznes tjetër, kjo është pika ku atyre u dhemb më shumë.
Pra ju thoni këto grupe reagojnë shumë shpejt? Por a është e mundur që konfiskimet të jenë shtuar, por edhe sasia e drogës së trafikuar të jetë shtuar gjithashtu?
Është e natyrshme që kur rritet kërkesa nga njëra palë, pala tjetër rrit numrin e dërgesave. Pra, meqenëse kërkesa rritet në Evropë, besoj se kjo ka qenë një ndër arsyet pse ne kemi parë një farë shtimi të trafikut të drogës afgane që kalon përmes rrugës Ballkanike.
Sa efikase kanë qenë qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës në operacionet e tyre kundër trafikut të lëndëve narkotike? A kanë reaguar në masën e duhur?
Mendoj se ato po bëjnë një punë të mirë, por përpjekjet duhet të vazhdojnë gjithmonë. Duke marrë parasysh mjetet që kanë në dispozicion, ato po punojnë mirë. Policia, ushtria dhe institucionet e sigurisë mund të veprojnë deri në një farë mase. Unë sapo e thashë se këto grupe të fuqishme që trafikojnë sasi të mëdha droge janë shumë elastike dhe të shkathëta. Dhe për sa kohë që policia, ushtria dhe shërbimet e zbulimit nuk kanë mjetet ajrore, detare apo tokësore për ta dërguar policinë në vendin e duhur në kohën e duhur, atëherë ata do të hasin në vështirësi.
Lufta kundër trafikimit të drogës kërkon përpjekje ndërkombëtare. Çfarë ndihme i ka dhënë Agjencia amerikane Kundër Trafikut të Drogës qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në luftën kundër këtij trafiku?
Agjencia amerikane Kundër Trafikut të Drogës ka praninë më të madhe të forcave të rendit jashtë vendit, janë rreth 90 punonjës deri tani. Kjo agjenci nuk bashkëpunon vetëm me një apo dy vende në rajonin e Ballkanit, ajo shërben si një urë lidhëse mes shumë vendeve për të lehtësuar ndarjen e informacioneve të rëndësishme të zbulimit, për të bashkërenduar hetimet, në mënyrë që hetimet të kenë rezultate maksimale, pra të japin grushtin më të fortë në kohën e duhur për t’i shkatërruar apo të paktën për t’i dëmtuar rëndë këto organizata. Pra ky është një rol i rëndësishëm që luan Agjencia amerikane Kundër Trafikut të Drogës. Megjithatë, duhet thënë se vendet që bashkëpunojnë me këtë Agjenci luajnë një rol po aq të rëndësishëm sa ajo. Gjithçka është e ndërlidhur, dhe ky nuk është një kërcënim sigurie që mund zgjidhet nga një, dy apo tre vende. Ky është një kërcënim global, prandaj duhet një përpjekje globale për ta luftuar atë.
Të gjitha këto vende të Ballkanit po përpiqen të integrohen në Bashkimin Evropian. Si do të ndikojë kjo tek shkëmbimi i informacionit, rritja e kapaciteteve dhe kualifikimi i forcave në vendet e Ballkanit nga ekspertë perëndimorë?
Nuk jam i sigurt nëse jam personi i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Unë kam njohuri për Europolin, e cila është një organizatë e relativisht e re. Megjithatë, mund të them se nëse këto vende bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, kjo mund t’u krijojë mundësi të reja dhe mund t’u japë mënyra të tjera për shkëmbimin e informacioneve shumë të rëndësishme të zbulimit dhe sidomos të provave. Sepse në fund të fundit janë provat ato që i duhen paraqitur gjykatave kompetente nëpër botë në mënyrë që bosët e drogës të mund të futen në burg dhe të qëndrojnë pas hekurave ku edhe u takon të jenë.
Trafiku i drogës sjell me vete krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrpusionin. Po terrorizmin? A ka sjellë ky trafik me vete terroristë në zona si Shqipëria, Kosova dhe Ballkani në përgjithësi? Dhe si do të ndikojë kjo tek siguria e rajonit?
Siç e lashë të kuptohet edhe më parë, ndërkohë që shohim tranzicionin e vazhdueshëm të Talebanit dhe al-Kaidës nga grupe që drejtohen vetëm nga ideologjia, në grupe që drejtohen nga dollari apo Euroja, pra motivi ndryshon nga ideologjia tek fitimi, ky lloj skenari i sjell grupet në kontakte më të ngushta me grupe indigjene të krimit të organizuar që e kanë bazën në disa prej vendeve ballkanike. Pikërisht kjo më duket shqetësuese. Bashkëpunimi i tyre bëhet më i ngushtë në mënyrë krejt të natyrshme. Po t’i hedhim një vështrim shifrave të OKB-së, dhe të shohim katër kategoritë më të rëndësishme të tregëtisë së paligjshme në botë, ato radhiten në këtë mënyrë: droga sjell rreth 322 miliard dollarë në vit të ardhura nga kontrabanda, pas saj renditet trafikimi i qenieve njerësore me 32 miliard dollarë, tregëtia globale e armëve është e treta me 10 miliard dollarë dhe tregëtia e diamantëve ka të ardhura rreth një miliard dollarë. Ideja është që nuk ka asnjë lloj tregëtie të paligjshme në botë që sjell të ardhurat që sjell tregëtia e paligjshme e trafikut të drogës. Prandaj, kjo jo vetëm që i tërheq shumë grupet e krimit të organizuar në të gjithë botën, por po bëhet gjithnjë e më tërheqëse edhe për organizatat terroriste. Ndërkohë që komuniteti global vazhdon përpjekjet në luftën kundër organizatave të fuqishme terroriste, ne kemi ndërprerë rrjedhën e parave që ata merrnin nga donatorë privatë dhe kemi ulur numrin e vendeve që mund të mbështesin hapur grupet terroriste. Për këto dy arsye, gjithnjë e më shumë grupe terroriste po përpiqen të gjejnë mënyra për t’i mbajtur gjallë aktivitetet e tyre. Prandaj, ata po kalojnë natyrshëm drejt tregëtisë së drogës, dhe sa më shumë të ndodhë kjo, aq më elastikë, aq më të shkathët dhe aq më mobile bëhen ata si dhe aq më të forta bëhen aleancat që fillojnë të krijojnë me grupe të fuqishme të krimit të organizuar, dhe kjo është shqetësuese për mendimin tim. Gjëja më e rrezikshme është ajo që unë e quaj organizata terroriste hibride. Një grup që nga njëra anë funksionon si organizatë terroriste, por nga ana tjetër është edhe organizatë e trafikut global të drogës.
_______________________
Kreu i Policisë së Shtetit: Lazarati, s’mund të na mbajë peng vizat
GJIROKASTER- Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka kërkuar nga Gjirokastra vazhdimin me vendosmeri te luftes kunder trafikut te drogës.
Deklarata është bërë sot gjatë analizës 3 mujore, në drejtorinë e policisë së këtij qarku, ku Burgaj me tone të ashpra ka folur për zbatimin e Planit të Veprimit për Parandalimin e Kultivimit të Bimëve Narkotike.
“Lazarati, apo ndonjë komunë e fshat tjetër në çdo cep të Shqipërisë nuk do të mund të mbajnë peng vednin për liberalizimin e vizave”- tha ai, duke kërkuar nga drejtuesit evidentimin e parcelave ku mund të kultivohen, që më pas të shihet mundësia e ndërhyrjes urgjente.
Vetem se fundi policia ne disa operacione ka bllokuar qindra kg droge qe vinte nga Lazarati dhe kishte destinacion vendet fqinje, Greqine dhe Italine.
_____________
Droga, Berisha: Ndëshkim zyrtarëve në komuna
TIRANË- Kryeministri, Sali Berisha ka pranuar se në vend vazhdon kultivimi i drogës dhe ka kërkuar masa të ashpra ndëshkimore për zyrtarët në fshatra e komuna që nuk denoncojnë.
Gjatë fjalës së tij në konferencën kombëtare për parandalimin e kultivimit të Kanabisit, Berisha, duke njohur përparimin e bërë në këtë drejtim ka thënë se kultivimi vazhdon të mbetet ende problem.
“Në disa zona, plantacionet janë mjaft të dukshme”- ka theksuar Berisha, duke shtuar se kultivimi ndodh në dritën e diellit. Ai i ka bërë apel policisë të bëjnë punën e tyre. Ai kërkoi gjithashtu të zbatohet ligji për kryetarët e komunave apo për zyrtarët e tjerë në fshatrat ku ende vazhdon të kultivohet kanabis. Duke theksuar se ka shumë pak raste denoncimi dhe ndjekje penale.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka premtuar se për herë të parë Policia e Shtetit do ketë në dispozicion mjetet më të sofistikuara për të luftuar kultivimin e bimëve narkotike, siç është vëzhgimi satelitor.
__________________
Raporti i DASH: Shqipëria, vend tranzit për trafikantët e drogave
Shqipëria shërben si vend tranzit për trafikantët e drogave që transportojnë heroinën e prodhuar në Afganistan, nga Azia Qendrore për në destinacione të ndryshme në Evropën Perëndimore.
Ky është përfundimi i raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, për strategjinë ndërkombëtare kundër drogave, publikuar sot.
Në vitin 2009, në Shqipëri u shtua sasia e heroinës së kapur, ndërsa ka rënë sasia e mariuhanës së kapur. Në përgjigje të trysnisë ndërkombëtare, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, qeveria e Shqipërisë, u është kundërvënë me agresivitet elementëve kriminale, ndonëse përpjekjet e saj pengohen nga mungesa e burimeve dhe ekspertizës si dhe nga korrupsioni i lartë.
Dalja në Adriatik, si dhe kufijtë tokësorë jo të ruajtur mirë, e bëjnë këtë vend një ndalesë tërheqëse për trafikantët që fusin droga në Evropën Perëndimore, pjesërisht edhe si rezultat i mungesës së fondeve për të financuar përpjekjet anti-drogë dhe korrupsionit të përhapur mes zyrtarëve të rendit.
Ndërsa historikisht shumica e drogave kalonin përmes Detit Adriatik, politikat më agresive të qeverisë shqiptare, si dhe patrullimi më i mirë i bregdetit, kanë bërë që trafikantët t’i zhvendosin rrugë-kalimet drejt kufijve tokësore me Kosovën dhe Malin e Zi, duke përdorur Serbinë dhe Bosnjen si pika tranziti. Moratoriumi i qeverisë shqiptare ndaj anijeve të shpejta ka bërë që të ngadalësohet lëvizja e drogave dhe trafiku i njerëzve drejt Italisë.
Në janar të vitit 2009, firma Lokheed Martin përfundoi instalimin e një sistemi radarësh për mbikqyrjen e detit, gjë që u jep autoriteteve shqiptare të dhëna në kohë reale se çfarë mjetesh lundruese ndodhen në ujërat detare të vendit.
Policia shqiptare, thuhet më tej në raportin e Departamentit të Shtetit, vazhdon të kapë sasi më të mëdha heroine nga viti në vit. Sipas të dhënave nga Italia, sasia e drogës afgane e kapur në Itali, që ka shkuar aty drejtpërdrejtë nga Shqipëria, mbetet në kuota të ulëta. Korrupsioni, thuhet më tej në raport, vazhdon të mbetet një problem madhor për Shqipërinë.
Pagat e ulëta, një shoqëri që e pranon gjerësisht ryshfetin, lidhjet e ngushta shoqërore, e bëjnë të vështirë luftën kundër korrupsionit në radhët e policëve, gjykatësve dhe zyrtarëve të doganave. Megjithëse rastet e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion janë shtuar, Shqipëria vazhdon të vuajë për shkak të mungesës së pavarësisë e gjyqësorit, nga mungesa e transparencës së procedurave ligjore dhe shumë raste nuk zgjidhen kurrë.
Hetimet e rasteve të korrupsionit pengohen nga imuniteti që gëzojnë zyrtarë të lartë të qeverisë, gjykatës dhe anëtarë të parlamentit. Trafikimi i drogave vazhdon të përbëjë një nga profesionet e paligjshme më fitimprurëse në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë, thuhet në raport, njofton se përdorimi i drogave në vend ka ardhur në rritje. Sipas ministrisë, në Shqipëri ka rreth 30 mijë përdorues drogash, por të dhënat mbi të cilat bazohet kjo shifër, nuk janë shumë të besueshme.
Qeveria e Shqipërisë, shkruan raporti i Departamentit të Shtetit, ka marrë masa kundër përdorimit të drogës, por përsëri përpjekjet e saj pengohen nga infrastruktura e pamjaftueshme shëndetësore për t’u marrë me trajtimin e përdoruesve të drogave.
Pas publikimit të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit që nënvizonte shtim të rastit të korrupsionit mes zyrtarëve, Partia Socialiste ka deklaruar se hetimet pengohen nga njerëz me imunitet.
“Hetimet për korrupsion pengohen nga imuniteti që gëzojnë zyrtarë të lartë të qeverisë. Tashmë këtë nuk e thotë vetëm Partia Socialiste, por e thotë edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, edhe Bashkimi Evropian, edhe Këshilli i Europës edhe Transparency International, dhe çdo partner tjetër ndërkombëtar që vlerëson Shqipërinë për çështje të korrupsionit”- ka thene Tahiri.
Sipas tij, kryeministri ynë, kampion për korrupsion familjar e qeveritar, ka arritur me sukses ta kthejë Shqipërinë, për turpin e të gjithëve, në kampion të korrupsionit, duke lënë pas të gjithë vendet e Evropës dhe shumicën e botës së qytetëruar.
Nga Shekulli Online
Komentet e fundit