Arkiva

Arkiva për ‘Shëndetsia’ kategorinë

Stina e nxehtë, fluks pacientësh të helmuar në spitale

August 28th, 2010 No comments

Shefi i spitalit Infektiv, Dhimitër Kraja, pohon se në stinën e verës rritet numri i të helmuarve nga ushqimet. Shenjat e helmimeve dhe shkaktarët

Intoksikacionet nga produktet ushqimore vazhdojnë të mbeten problematike gjatë sezonit të verës. Me dhjetëra pacientë të vegjël paraqiten çdo ditë në dyert e pediatrisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të marrë ndihmë mjekësore për shkak të helmimeve nga produktet ushqimore.

Në fakt, nuk janë vetëm fëmijët që vuajnë këtë problem, pasi edhe fluksi i të rriturve në dyert e Spitalit Infektiv në QSUT paraqitet për të marrë ndihmë. Mjekët e këtij shërbimi pohojnë se vijnë çdo ditë deri në 60 -70 pacientë pranë këtij shërbimi. Shefi i këtij shërbimi, Dhimitër Kraja, pohon se fluksi i pacientëve në këtë stinë është i zakonshëm dhe se stafi është në gatishmëri për të dhënë ndihmë në çdo moment.

Helmimet

Sipas mjekëve të spitalit Infektiv, në stinën e verës rritet numri i të helmuarve nga produktet ushqimore. Temperaturat e larta, pakujdesia e ruajtjes së produkteve ushqimore dhe mungesa e kontrolleve higjieno-sanitare, sipas specialistëve, janë shkaqet kryesore që sjellin këto probleme. “Mund të them se çdo vit në këtë stinë ka fluks pacientësh të helmuar nga ushqimit, por, në fakt, këtë vit vihet re një shtim i pacientëve”, – pohojnë mjekët.

Sipas specialistëve, subjekte të veçantë janë më të ndjeshëm dhe i kalojnë më rëndë këto helmime. Siç janë moshat më ekstreme, fëmijët dhe pleqtë, të sëmurët me probleme kardiake, të zemrës, tensionit, të veshkave, diabetit, stomakut. Këta persona mund t’i kalojnë më rëndë dhe me komplikacione këto situata.

Ndërsa, sa i takon shenjave të një helmimi ushqimor apo një infeksion i traktit tretës janë të përziera dhe të vjella me përmbajtje kryesisht ushqimore, diarre, dalje me përmbajtje të ujshme që mund të jetë e disa tipave me dalje shumë të shpeshta, mukozë gjaku, dhimbje barku e karaktereve të ndryshme, temperaturë dhe forma më e rëndë që lidhet me humbjen e lëngjeve dhe kripërave, siç janë tharja e mukozave (gjuhës, ulje e sasisë së urinimit, rënie e tensionit arterial, dobësi muskulore, këputje etj).

Shkaktarët

Disa nga shkaktarët e sëmundjeve diarreike dhe helmimeve ushqimore janë disa mikrobe dhe viruse (të tilla janë escherichia coli enterotoksigjene, clostridium perfingensm staphylococus aureusm, viruset coxsackie, viruset echo dhe rotaviruset, etj). “Shkaktarët ndodhen në ajër, ujë dhe ushqime të kontaminuara, kafshë shtëpiake dhe të egra bartëse të këtyre mikrobeve, njerëz të sëmurë, ose bartës të tyre.

Insektet mund të jetë transportues pasivë, sidomos për viruset”, pohojnë mjekët, duke shtuar se periudha më e favorshme për përhapjen e tyre është stina e verës dhe sidomos periudha korrik-tetor. Këto lloj infeksionesh pothuajse gjithmonë merren nga goja, zakonisht nga gëlltitja e ushqimit ose pijeve të helmuara.

Çdo prodhim ushqimor është një burim potencial për infektimin e njeriut. Burim për helmimin e ushqimit ose pijes mund të jenë njerëz mbartës pa klinikë, por burimi kryesor i infeksionit të njeriut është rezervuari i gjerë i salmonelave në kafshët e ulëta.

Specialistët: Ja produktet më të rrezikshme

Çdo ushqim mund të kontaminohet nga shkaktarët mikrobik, por disa mund të jenë më të prekshme. Mund të përmendim produktet e vezës (majoneza, akullorja), bulmetrat, mishi dhe sallamrat, produktet e detit.

Një produkt tjetër i rëndësishëm është uji se ne e harrojmë, kur ai është i ndotur. “Të gjitha këto produkte ushqimore që përmendëm kontaminohen përgjithësisht gjatë përdorimit të tyre nga personat me higjienë të ulët të duarve, kur nuk ruhen në kushte frigoriferike, kur ekspozohen në diell dhe kur ekspozohen ndaj insekteve, kryesisht mizave”, pohojnë specialistët, duke shtuar se shqimet mund të rikontaminohen pas përgatitjes së tyre nga pajisjet e kuzhinës apo personeli i kuzhinës (mbartës mikrobesh). Ushqimi mund të rikontaminohet, nëse, pas gatimit lihet të ftohet për një kohë të gjatë, sidomos në periudhën e verës.

Por specialistët theksojnë se nuk duhet të mendohet se ushqimi i futur në kohë në frigorifer nuk kontaminohet dhe nuk shkakton helmim.

Një shembull i qartë është stafilokoku aeurus që quhet ndryshe “helmimi ushqimor” klasik. “Helmimi ndodh nga enterotoksina e prodhuar më parë në produktet ushqimore, ndërsa vetë stafilokoku mund të jetë larguar nga ushqimi.

Ky lloj helmimi dallon nga të gjithë të tjerët, sepse shfaqet me shumë të vjella, diarre, temperaturë të lartë dhe shenjat shfaqen brenda një periudhe të shkurtër që nga koha e marrjes së ushqimit deri në shfaqjen e shenjave të para”, theksojnë mjekët.

Simptomat

Të vjella
Heqje barku
Temperaturë
Dobësi
Zverdhje të lëkurës
Djersë

Këshilla

Lani me ujë të pastër e të rrjedhshëm të gjitha frutat dhe zarzavatet
Ruani produktet ushqimore në vende të freskëta
Konsumoni ushqime të sapopërgatitura
Të sëmurët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të zemrës e të tensionit duhet të jenë të kujdesshëm e të konsultohen herë pas here me mjekun specialist

Categories: Shëndetsia

Abortet e padëshiruara, si i përjetojnë femrat shqiptare

March 19th, 2010 No comments

Grua shtatzane

Gjinekologia në maternitetin “Koço Gliozheni”, Prifti shpjegoi dramat që përjetojnë femrat dhe familjet abortet spontane

Humbasin beben ende pa lindur dhe kjo i dëshpëron shumë ato. Dramatike bëhet situata sidomos kur shtatzënia ka qenë shumë e dëshiruar nga nëna dhe babai.

Mjekja gjinekologe në maternitetin “Koço Gliozheni”, Enkeleda Prifti në intervistën për gazetën shpjegoi se si reagojnë femrat që humbasin një shtazani në mënyrë spontane pra pa dëshirën e tyre. Gjithashtu ajo shpjegoi edhe arsyet se përse ndodh një abort spontan dhe mënyrën se si e përballojnë femrat këtë abort.

Përse ndodh një abort spontan?

Shkaqet e abortit spontan janë të shumta dhe fillojnë që nga anomalit kromozonike ose problemet gjenetike siç njihen në gjuhën popullore të cilat mund të jenë shkaktuar nga infeksionet ose mund të jenë shkak i anomalisë së traktit gjenital por kryesisht shkaqet janë anomalitë gjenetike pra kur embrioni është i papajtueshëm me jetën ose shkaqe infeksioni.

Në raste të tilla si reagojnë pacientet ndaj një aborti spontan?

Reagimi varet nga gjendja e gruas, nga dëshira që ka pasur ajo për të arritur atë shtatzani ku natyrisht përfshihet edhe dëshira e babait dhe natyrisht që ndikojnë shumë kushtet sociale dhe kushtet ekonomike.

Megjithatë pavarësisht sa e dashur ka qenë shtatzania e tyre që në momentet e para në përgjithësi gratë reagojnë shumë keq për humbjen e shtatzanisë. Reagojnë me trishtim me dëshpërim dhe kjo duke e lidhur edhe me shkallën se sa e kanë dashur atë fëmijë.

Natyrisht që femrat që janë mbi 35 vjeç dhe shtatzënia ka qenë e planifikuar dhe shumë e dëshiruar ose gratë që e kanë arritur shtatzaninë me teknikat e riprodhimit të asistuar ose në çifte që kanë vuajtur infertilitetin pra një pamundësi për të arritur një shtatzani për një kohë të gjatë.

Deri ku arrin dëshpërimi i grave dhe si e shprehin atë?

Dëshpërimi varet nga tipi i gruas. Gratë që kanë një informim më të lartë që janë nga zonat urbane janë më të rezervuara në shfaqjen e emocioneve të tyre mbase këto emocione ato shfaqin akoma më shumë në shtëpi dhe sidomos kur janë me partnerin e tyre pasi vet pamja e doktorit në spital i imponon ato që të kenë një sjellje me të matur dhe më të pranuar megjithëse nga brenda ato mund të vuajnë shumë.

Ka pasur raste që humbja e shtatzanisë pa dashje ka shkaktuar probleme të rënda psikike te gratë?

Një pjesë e mirë e pacientëve sidomos në rastet kur shtatzania ka qenë shumë e dëshiruar dhe kjo mund të krijojë shumë problem e në çift. Duke qenë se partneri është më i afërt ku mund të shprehësh ndjenjat është pikërisht partneri ai që fajësohet dhe për humbjen e shtatzanisë.

Gratë e vuajnë kaq shumë humbjen e barrës sa mund të shkojnë edhe në ndarje në çift. Me probleme mendore do të thosha se humbja e barrës ndikon kur gruaja ka bërë disa aborte spontane të njëpasnjëshme. Në ato raste fillojnë problemet psikologjike dhe në raste të tilla ofrojmë edhe psikolog.

Deri në sa raste gjatë eksperiencës suaj një femër ka bërë aborte spontane?
Literatura këto shifra shkojnë deri në rangun e anektodës por unë mund të them se në eksperiencën tonë ka pasur edhe raste deri në 5 aborte spontane të njëpasnjëshme.

Çfarë vini re në mentalitetin e shqiptar në lidhje me abortet spontane?
Vëmë re se gratë përveç fatkeqësisë së dramës personale kanë edhe dramë familjare pasi drama e tyre bëhet e vështirë sidomos me gratë e zonave rurale sepse këtu nuk ndërhyn vetëm partneri por edhe fisi dhe kjo është vërtet problematike. Këto situata femrat i përjetojnë rëndë.

Femrat duhet të konsultohen edhe për eksperiencën e parë

Femrat gjithmonë mund të kenë nevojë për këshillimin me një gjinekolog. Madje dhe kur ato kanë vendosur për herë të parë të kryejnë marrëdhënie seksuale mund të këshillohen rreth metodave kontraceptive që duhet të përdorin për të shmangur një shtazani të padëshiruar në mënyrë që të mos arrihet te një aborte i ndërlikuar pasi fëmija të jetë rritur.

“Femrat që në momentin kur planifikojnë të kryejnë marrëdhënie seksuale për herë të parë i sugjerohet një kontakt me gjinekolog ku merr gjithë informacionin e mundshëm për kontracepsionin.

Në funksion të moshës dhe patologjinë që ka femra doktori me konsensusin e femrës gjejnë mënyrën më të sigurt të kontracepsionit duke u bazuar edhe në moshën e femrës”, shpjegon gjinekologia Enkeleda Prifti duke shtuar se në moshat e reja më i rekomandueshëm është kondomi pasi shërben edhe për parandalimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Ndërsa në qiftet e martuara që kanë raporte stabël në qift ka metodat të tjera si pilulat, spitlja etj.

Nga Shekulli Online

Categories: Shëndetsia

Cilat janë sëmundjet gjenetike më të më të përhapura?

March 9th, 2010 No comments

Gjenet
Shefi i Qendrës së Kërkimeve Gjenetike shpjegoi sëmundjet më të përhapura gjenetike dhe bartësit e këtyre sëmundjeve

Kemi 5 vite që Qendra e Diagnostikës Molekulare dhe Kërkimeve Gjenetike, në Maternitetin e Tiranës “Mbretëresha Geraldinë” bën analizën e ADN-së dhe parandalimin e disa sëmundjeve gjenetike më të përhapura.

Kemi në dispozicion të dhëna për disa sëmundje gjenetike si talasemia, fibroza cistike, distrofia muskulare dhe atrofia muskulare spinale, për përhapjen e tyre në popullatën shqiptare.

Mendohet se, të paktën 5% e popullatës, janë bartës të një gjeni me defekt të talasemisë, që do të thotë se, të paktën 1 në 1600 fëmijë të sapolindur, është i sëmurë nga talasemia”, – pohon doktor Zoraqi, duke shtuar se në disa zona të veçanta, shifrat janë akoma më alarmante, pasi përqindja e bartësve është me e lartë, sepse shkon nga 10 deri 20%.

Sipas tij, kjo to të thotë se në ato zona, 1 në 100 fëmijë mund të lindë i sëmurë talasemik dhe 1 në 50 fëmijë lind bartës i talasemisë. Popullata të tilla e kanë të detyrueshëm testin për identifikimin e bartësve.

Gjithashtu, ai shpjegon se edhe sindroma e down-it, është një nga sëmundjet gjenetike, që vjen si pasojë e anomalive të numrit të kromozomeve tek njeriu, që është mjaft e përhapur në vendin tonë.

“Është sëmundja më e përhapur kromozomike, me rreth 1 në 1000 fëmijë që lindin down dhe shfaqja e kësaj sëmundjeje është e lidhur me moshën e nënës në lindje”, – pohon Zoraqi, duke shtuar se tek nënat që lindin fëmijë në moshën 40 vjeç e lart, kjo shpeshtësi rritet 1 në 50 fëmijë të sëmurë.

Categories: Shëndetsia

Eko me mjekë të huaj nga materniteti shqiptar

February 18th, 2010 No comments

Në maternitetin “Koço Gliozheni” është instaluar Telemedicina me eko 4d, e cila bën të mundur komunikimin on-line për konsultë të përbashkët me mjekë të huaj

Teknologji

Prindërit mund të shohin beben e tyre më shumë detaje dhe mund të krijojnë një imazh se si do jetë ai sapo të lindë. Madje, imazhet e bebes janë të një cilësie shumë të mirë sa prindërit preferojnë t’u bëjnë edhe foto dhe t’i kenë në një album, ndonëse fëmija nuk ka lindur ende.

Kjo është ekoja 4d (4 dimensionale), e cila, duke u lidhur me anë të Telemedicinës (mjekësia në televizor) e bën atë unikale në vendin tonë, pasi konsulta e bebes në barkun nënës mund të bëhet njëkohësisht mes mjekëve të ndryshëm në gjithë botën edhe pse ata ndodhen në klinikat e tyre.

Kjo teknologji moderne është instaluar prej një viti në maternitetin “Koço Gliozheni” dhe për të tregon në intervistën për “Shekulli”-n mjekja gjinekologe e specializuar për ekografiste, Enkelejda Prifti, e cila thekson se kjo teknologji është ndër më të rejat në botë.

Në maternitetin “Koço Gliozheni” është instaluar një aparaturë moderne, e cila jep imazhe shumë cilësore të bebes që ende nuk ka lindur. Ku konsiston e veçanta e këtij ekzaminimi për bebet?

Duke marrë imazhe të mëparshme ekografike ekoja 4d krijon një imazh të bebit që të duket sikur e ke si në fotografi dhe është shumë e drejtpërdrejt, sidomos në komunikim me prindërit.

Në pjesën më të madhe të vendeve perëndimore ajo ende përdoret si pamje shtesë për të shtuar edhe kënaqësinë prindërore kur shikojnë një ekografi që është pak më e vështirë se kur shikojnë pamjet standarde mjekësore. Përveç kësaj, kjo ka disa vite që po studiohet se çfarë funksioni do të na shtojë në diagnozat e mëparshme ekografie.

Pra, çfarë të reje shton kjo në një diagnozë që ne e vendosim, por që ne shtojmë edhe 4d dhe marrim një imazh më të plotë volumetric dhe që na vërteton diagnozën që ne kemi dyshuar me ekografin standarde që bëhen. Kjo nuk është thjesht një ekografi 4d që bëhet, por që krahasuar me imazhet diagnostike ose 2d është me cilësi shumë më të lartë.

Përveç kësaj, ka ekzaminime të tjera si sistem, grafikë, imazhe dhe përpunim të dhënash, është shumë më e sofistikuar dhe këtë e vërteton lidhja e kësaj aparature me Telemedicinën.

Më konkretisht, çfarë është telemedicina dhe çfarë mundëson ajo për mjekësinë?

Telemedicia apo, siç thuhet ndryshe, mjekësia në televizor është një lidhje on-line mes aparaturës 4d që folëm më lart dhe që jep imazhe shumë cilësore me mjekët e vendeve të huaja në këtë rast me mjekët e spitalit Massa që ndodhet në Itali.

Pra, telemedicina është kur ne bëjmë një diagnozë këtu dhe kemi dyshime për diagnozën apo mënyrën se si duhet të trajtojmë beben, siç ndodh rëndom në shumë klinika të specializuar edhe jashtë.

Ne me anë të Telemedicinës mund të lidhemi on-line me spitalin Massa dhe diskutojmë në mënyrë virtuale me doktorët që janë në Itali, dhe të vendosim bashkë për mënyrën e diagnozës dhe mënyrën e menaxhimit të bebit. Siç kishim një rast sot që ishte një fëmijë që ishte diagnostikuar më parë me një aritmi të zemrës dhe ne u lidhëm me mjekët italianë on-line dhe vendosëm së bashku për mënyrën e menaxhimit.

Mjeku italian, duke parë në pamjet ekografike direkt të bebes, on-line thotë mendimet e tij në lidhje me menaxhimin e diagnozës, sidomos për patologjinë e zemrës së bebeve.

Po prindërit marrin kënaqësi nga pamjet që iu ofron ekoja 4d?

Për prindërit aparatura sjell një imazh më të drejtpërdrejtë një imazh më të bukur dhe pothuajse pjesa e madhe e çifteve të reja kërkojnë që përveç fotove standarde që mund t’i marrin se në printer, apo CD, dëshirojnë edhe pamje 3d të bebit që jepet imazhi virtual i një fëmije që shikohet ekografikisht

Deri në çfarë imtësie shikohet fëmija me këtë aparaturë?

Varet nga disa kushte teknike ku zhvillohet ekografia, pasi duhen disa kushte specifike që të bëhet një imazh shumë perfekt, por në përgjithësi ne tentojmë gjithmonë te fytyra se ajo është më e drejtpërdrejtë në komunikimin me fëmijën ose pamje shumë të këndshme të dorës apo të këmbës. Nëna në këtë mënyrë imagjinon se si do jetë fëmija në momentin e lindjes.

Prindërit e kërkojnë më shumë për efektet të fotografisë për të pasur imazhin e bebes së tyre dhe për efektet emocionale, kurse ne na intereson më tepër që këtë ta përdorim nga ana shkencore për t’i shtuar vlera anës diagnostike që bën gjithë bota.

Çfarë statusi kanë në përgjithësi çiftet që e kërkojnë këtë eko?

Janë në përgjithësi çiftet e reja, sidomos ata që kanë një lloj informacioni dhe që shikojnë në internet dhe vijnë e kërkojnë duke thënë se duan eko si fotografi.

Kjo teknologji renditet e kohëve të fundit?

Po është ndër teknologjitë më të reja botërore që i përket kësaj fushe. Në gjithë botën, kjo është akoma në stade studimi.

Është e kushtueshme?

Kjo eko iu ofrohet të gjithë prindërve me kërkesën e tyre dhe të gjitha nënat që zbatojnë sistemin e referimit e realizojnë falas. Për ata që nuk zbatojnë këtë sistem, nuk është më e shtrenjtë se ekot e tjera të zakonshme.

Nga Shekulli Online

Categories: Shëndetsia

Pompa e zemrës dhe skanimi i trurit

February 5th, 2010 No comments

Pompa e Zemrës

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se sëmundja e zemrës shkakton vdekjen e të paktën 17 milionë vetëve çdo vit dhe se do do të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në vendet në zhvillim. Por tani shpresat janë gjallëruar. Një paisje e re që mund të shpëtojë shumë jetë njerëzish po hidhet në treg.

78 vjeçari Riçard Stoui ka një pompë mekanike në kraharor që lejon qarkullimin e gjakut në gjithë trupin e tij. E vetmja provë për praninë e saj është një pako baterish dhe një kabëll korrenti pranë tij. Read more…

Categories: Shëndetsia

Hepatiti B, urdhër për t’u vaksinuar të gjithë adoleshentët

February 1st, 2010 No comments

Të gjithë adoleshentët, të cilat kanë lindur në vitet 1992 dhe në vitin 1993 dhe deri në 30 prill të vitit 1994 do të vaksinohen për parandalimin e hepatitit viral B. Kjo është urdhëresa e Ministrisë së Shëndetësisë dërguar të gjithë Drejtorive të Shëndetit Publik të rretheve, të cilat do të marrin masa për të vaksinuar adoleshentët e këtyre viteve. Ndërkohë, dikasteri i Shëndetësisë ka dhënë të detajuar të gjitha hapat që do të merren në mënyrë që asnjë adoleshent që nuk e ka realizuar të këtë vaksinë të mos mbetet pa e bërë.

Udhëzimi
Në kuadrin e parandalimit të hepatitit viral B, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik ka planifikuar vaksinimin kundër hepatitit viral B të adoleshentëve të lindur në vitet 1992, 1993 dhe për vitin 1994 të lindurit nga 1 Janar deri me 30 Prill. “Ndërsa fëmijët e lindur nga muaji Maj 1994 e në vazhdim, sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit, janë të vaksinuar kundrejt hepatitit viral B, por në të gjitha ato raste kur ky vaksinim nuk ka ndodhur këta fëmijë duhet të vaksinohen”, bëhet e ditur në urdhëresën e Ministrisë së Shëndetësisë, duke u shtuar se Instituti i Shëndetit Publik merr përsipër furnizimin me vaksinë, shiringa dhe kuti sigurie për të gjithë rrethet. “Vaksinimi në çdo rreth duhet të kryhet pranë qendrës shëndetësore me të afërt”, bëhet e ditur në udhëzim.

Detyrat
Ministria e Shëndetësisë ka udhëzuar Drejtoritë e Shëndetit Publik të kryejnë disa detyra lidhur me vaksinimin masiv të adoleshentëve. Kështu, DSHP-të duhet të
evidentojnë emrat përkatës dhe datëlindjen e tyre dhe të përgatisin listat sipas shkollave dhe qendrave shëndetësore përkatëse. Të kryejnë në bashkëpunim me drejtoritë arsimore përkatëse lajmërimin nëpërmjet shkollave të personave që duhet të vaksinohen. Të lajmërojnë dhe përgatisin qendrat shëndetësore për vaksinimin e këtyre grupmoshave. “Gjithashtu, DSHP-të duhet të sigurojnë shpërndarjen e vaksinës në qendrat shëndetësore, sipas një kalendari të caktuar dhe të konsultuar me ISHP, sipas nevojave të qendrave për vaksinim”, bëhet e ditur në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke shtuar se duhet të sigurojnë që çdo qendër shëndetësore është e pajisur me kitet emergjencës së nevojshme për aplikimin e vaksinës dhe se duhet të pajisen me fletën përkatëse të përgatitur nga ISHP. Personat e vaksinuar duhet të shënojnë datat e vaksinimit me dozën e dytë dhe të tretë. Gjithashtu, po sipas udhëzimit, duhet që DSHP- të të regjistrojnë personat e vaksinuar në një regjistër të veçantë dhe të evidentojnë aplikimin e vaksinës, duke marrë firmën e secilit që vaksinohet.

Hepatiti B, transmetimi dhe shenjat

Rreziku i transmetimit të sëmundjes është 100 herë më i lartë se ai i virusit AIDS dhe rrugët e transmetimit janë të ndryshme. Kështu, sipas specialistëve, marrëdhëniet seksuale të pambrojtura është një ndër rreziqet kryesore për ta marrë këtë sëmundje. Ndërkohë, edhe transfuzioni i gjakut dhe të derivateve të tij të infektuara është rrugë transmetimi i sëmundjes. Madje, nga hepatiti B mund të ndodhë edhe infektimi i të sapolindurit nga nëna mbartëse e virusit. “Sëmundja mund të merret edhe nga kontakti përmes lëkurës dhe mukozave lëngje biologjike të infektuara nga virusi”, pohojnë specialistët, duke shtuar se kjo mund të ndodhë si pasojë e shpimeve ose prerjeve aksidentale me instrumente apo edhe nga manipulimet infektuara pa mbrojtjen e duhur. Ndërsa sa i takon shenjave të sëmundjes, specialistët pohojnë se shenjat e para janë lodhje, mungesë oreksi, dhimbje kokë, temperaturë, të vjella.

Pasojat

10% të rasteve në një hepatit kronik
40 % të rasteve në cirhose (shkatërrim i qelizave të mëlçisë)
5% të rasteve në kancerit të mëlçisë.

Rrugët e infektimit

Marrëdhënie seksuale të pambrojtura
Nga transfuzioni i gjakut
Nga nëna tek fëmija gjatë lindjes.

Shenjat e sëmundjes

Lodhje
Mungesë oreksi
Dhimbje koke
Të vjella
Temperaturë…

Si të mbrohemi?

- Ekziston një vaksinë kundër hepatitit B
- Bëhen 2 injeksione me një muaj interval e një e tretë pas 6 muajsh.
- Për personat, që punojnë në spitale e klinika, kjo vaksinë duhet të jetë e detyruar.
- Mbrohuni nga raportet seksuale

Nga Shekulli Online

Categories: Shëndetsia

Gripi i derrave, rrethet s’janë korrekt me mjekimin e pacientëve

January 28th, 2010 No comments

Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore në MSH, Pipero, spitalet e rretheve nuk e përdorin tamiflun në kohën e duhur.

Mjekët e spitaleve të rretheve nuk trajtojnë me tamiflu në kohën e duhur pacientët që janë të prekur nga virusi AH1N1 dhe kjo rrezikon seriozisht jetën e tyre. Madje, rasti i vdekjes së fundit i një gruaje shtatzënë me dy binjakë nga gripi i derrave ndodhi sepse mjekët e rrethit të Kukësit nuk e trajtuan atë në kohën e duhur me tamiflu.

Këtë e pohon për gazetën drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, i cili theksoi se i kanë drejtuar të gjitha spitaleve rajonale një udhëzim për të trajtuar në mënyrë sa më korrekte pacientët që janë të prekur nga virusi AH1N1 apo dyshohen që janë të prekur. Ndërkohë, ai shpjegoi edhe shenjat e gripit të derrave dhe momentin kur duhet të fillojnë mjekimin edhe pse nuk u është bërë ekzaminimi për virusin.

Trajtimi

Trajtimi i pacientëve që vijnë nga rrethet me virusin AH1N1 nuk është bërë në mënyrë korrekte, pasi shumë prej tyre u është mohuar trajtimi me tamiflu, ndonëse rekomandimet e dikasterit të Shëndetësisë janë që bluzat e bardha duhet të realizojnë mjekim korrekt mbi çdo rast të dyshuar apo të prekur nga virusi i gripit të derrave.

“Mjekët e rretheve presin që pacienti të ketë temperaturë 40 apo të jenë shumë rëndë nga gripi që të përdorin medikamentin mjekues Tamiflu, por kjo është shumë e rrezikshme, pasi mund të shkaktojë vdekjen e pacientit, sidomos të atyre që janë në grupet e riskut”, – pohon Pipero, duke shtuar se mjekët e rretheve justifikohen duke thënë se nuk e dinin që kanë të bëjnë më rastin e gripit të derrave si në rastin e gruas shtatzënë, e cila erdhi në spitalin Infektiv, kur situata e saj ishte e rëndë dhe e pamundur për ta shpëtuar.

Shenjat

Gjatë trajtimit të çdo të sëmuri të kihen parasysh shenjat që paraqesin rëndimin e sëmundjes pavarësisht se sëmundja mund të paraqitet fillimisht pa komplikacione, por rëndimi mund të jetë i shpejtë, brenda 24 orëve, duke paraqitur disa shenja.

Kështu thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas së cilës shenjat që tregojnë dëmtime dhe probleme me oksigjenimin dhe insuficience kardiopulmonare janë si pamjaftueshmëri në frymëmarrje në qetësi ose gjatë aktivitetit, vështirësi në frymëmarrje, cianozë, sptum me gjak apo të ngjyrosur, dhimbje gjoksi, presion alterial. Ndërsa, te fëmijët, shenjat e gripit të derrave, sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë, janë frymëmarrje e rënduar dhe e shpejtë dhe hipoksi sipas oksimetrit.

Ndërsa, shenjat e komplikacioneve polmonare në rastin e gripit të derrave janë çrregullimet e gjendjes mendore, humbje e ndërgjegjes, marrje mendsh, përgjumësi dhe vështirësi për tu zgjuar, konvulsione, konfuzion dhe dobësi e theksuar ose paraliza.

Grupet e riskut nga virusi AH1N1

- Foshnja dhe fëmijët nën 2vjeç
- Gratë shtatzëna
- Personat me sëmundje kronike pulmonare (astma, COPD)
- Personat me sëmundje kronike të zemrës
- Personat me çrregullime metabolike (diabet)
- Personat me sëmundje të rëndë kronike renale, hepatite, disa gjendej neurologjike (çrregullime neuromuskolare, gjendje që shoqërohen me kontraksione apo konvulsione), hemoglobinopati, etj.
- Fëmijë që marrin trajtim kronik me aspirinë, personat 65 vjeç e lartë
- Personat me obezitet të theksuar

Udhëzimi: Të vlerësohen me seriozitet të gjitha rastet e gripit

Të vlerësohen me seriozitet të gjitha strukturat e kujdesit shëndetësor në të gjitha rastet e gripit. Ky është udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar spitaleve rajonale, duke theksuar se të gjithë pacientët rekomandohen të kthehen pranë strukturave shëndetësore nëse gjendja e tyre paraqet shenja të rëndimit të sëmundjes apo nuk përmirësohet brenda 72 orëve të fillimit të saj.

“Kur pacienti paraqitet pranë strukturave shëndetësore spitalore apo parësore trajtimi me antiviral mund të bëhet edhe në kushte ambulatore, sipas gjykimit klinik të mjekut, duke ndjekur kriteret e mësipërme të kujdesit të pacientit”, – bëhet e ditur në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke u shtuar se kur pacienti paraqitet pranë urgjencave spitalore në bazë të gjykimit të mjekut jepet tamiflu ambulatorisht, si edhe rekomandohet përshkrimi i tamiflu në recetë, duke e dokumentuar atë.

Ndërkohë, në udhëzim theksohet se duhen marrë masa që në të gjitha spitalet e vendit të dhe qendrat e mëdha shëndetësore, në të cilat mund të bllokohen gjatë dimrit të kenë një stok prej 20 kutish me tamiflu.

Tafaj: Do të heqim masterin e nivelit të dytë

Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj, në daljen e tij të fundit në publik për këtë vit ka shpjeguar përpara medieve se çfarë pritet të ndodhë gjatë vitit 2010-të në sistemin arsimor në Shqipëri.

Duke filluar që nga dita e parë e janarit, universitetet publike do të fitojnë të drejtën të administrojnë të fitimet që kanë nga të ardhurat dytësore dhe tarifat. Ministri Tafaj, bëri me dije se gjatë viti të ardhshëm do të ketë ndryshime në hierarkinë e diplomave universitare.

“Sistemi i klasifikimit të diplomave ose i titujve të diplomave që parashikon ligji i arsimit të lartë ka shfaqur disa vështirësi që ne synojmë t’i përmirësojmë dhe do të kemi një sistem shumë të thjeshtë: bachelor, master dhe doktoratë.

Niveli master do të ketë, mastera profesional, por ne do të heqim masterin e nivelit të dytë. Masteri që do të çojë në studimet e doktoratës quhet master shkencor ose magjistër dhe do të zgjasë dy vjet”, – tha Tafaj.

Për sa i përket akreditimi të universiteteve publike dhe private, procesi pritet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm, periudhë gjatë së cilës agjencia gjermane do të këtë përfunduar klasifikimin e diplomave të studentëve. Krahas universiteteve, në procesin e akreditimi do të përfshihen edhe shkollat e mesme, të cilat do të vlerësohen në bazë të sistemit të Pizës.

Categories: Shëndetsia

Kanceri i mitres, Shqiperia e para ne Evrope

January 26th, 2010 No comments

Kanceri i qafes se mitres e rendit Shqiperine nder vendet e para ne Evrope, per sa i perket numrit te te prekurave por edhe viktimave qe shenohen nga kjo semundje e rende. Per kete shkak ministri i Shendetesise, Petrit Vasili ka kerkuar me shume vemendje per parandalimin e ketyre semundjeve, pasi trajtimi i tyre eshte i njejte ne te gjitha vendet e botes. Read more…

Categories: Shëndetsia